Sejko: Depozitat e qytetarëve janë të sigurta, sistemi bankar vijon normalisht aktivitetin
Guvernatori Gent Sejko garanton sigurinë e depozitave dhe funksionimin normal të sistemit bankar pavarësisht protestave.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka garantuar qytetarët dhe bizneset se depozitat bankare janë të sigurta dhe se sistemi bankar vijon të funksionojë normalisht, pavarësisht tensioneve dhe situatës së krijuar në vend nga protestat.
Deklarata u bë gjatë një takimi të zhvilluar me drejtuesit e institucioneve bankare, ku morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë. Në fokus të diskutimeve ishte situata aktuale në vend dhe garantimi i vijimësisë së pandërprerë të aktivitetit të sistemit bankar.
Në nisje të takimit, Sejko theksoi se sistemi bankar vijon të operojë normalisht dhe do të vazhdojë t'u përgjigjet nevojave të ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve financiare dhe të aktivitetit të përditshëm.
Guvernatori bëri të ditur se Banka e Shqipërisë ka mbajtur në funksion të gjitha sistemet operacionale, përfshirë sistemin e pagesave dhe qarkullimin e parasë fizike. Sipas tij, edhe funksionet e tjera të institucionit janë kryer normalisht gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Banka e Shqipërisë, siç jeni në dijeni, i ka pasur në funksion të gjitha sistemet operacionale, përfshirë sistemin e pagesave dhe qarkullimin e parasë fizike. Edhe funksionet e tjera kemi vijuar t’i kryejmë normalisht në çdo kohë”, deklaroi Sejko.
Sejko: Asnjë ngjarje nuk i cenon depozitat e qytetarëve
Duke iu referuar tensioneve dhe presionit të krijuar mbi sistemin bankar, guvernatori siguroi se depozitat e qytetarëve nuk janë të rrezikuara, ndërsa bankat shqiptare kanë nivele të mira kapitalizimi dhe likuiditeti.
“Pavarësisht tensionit dhe presionit në sistemin bankar, ashtu siç kemi nënvizuar edhe në komunikimet tona, depozitat janë të sigurta. Asnjë ngjarje nuk i cenon depozitat e qytetarëve. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë likuiditet të mirë”, theksoi guvernatori.
Sejko nënvizoi se bankat vijojnë të ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët dhe bizneset, duke garantuar funksionimin e aktivitetit financiar në vend.
“Sistemi bankar dhe bankat janë në funksion normal të bizneseve dhe qytetarëve”, deklaroi ai.
Ndërprerja e aktivitetit bankar do të kishte pasoja zinxhir në ekonomi
Guvernatori paralajmëroi se çdo dëmtim apo cenim i funksionimit të sistemit bankar dhe financiar do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke ndikuar në aktivitetin e tyre ekonomik dhe në jetën e përditshme.
“Dëmtimi apo cenimi i sistemit bankar dhe financiar cenon drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset. Krijon problematika që kanë të bëjnë me jetën e gjithsecilit, veprimtarinë dhe vazhdimësinë e aktivitetit të tyre”, u shpreh Sejko.
Ai theksoi se shqetësimi kryesor i Bankës së Shqipërisë mbetet garantimi i funksionimit të pandërprerë të sektorit bankar, për të shmangur ndikimet negative në ekonominë e vendit.
“Shqetësimi ynë është që kjo industri të vijojë pa ndërprerje aktivitetin, pasi pasojat do të ishin zinxhir në të gjithë ekonominë”, përfundoi guvernatori Gent Sejko.